Përvjetori i 11-të i sulmit terrorist mbi Kullat Binjake në New York

Nga Gazeta Telegraf - Mar Sht 11 2012, 5:31 pm

Sot ceremonia përkujtimore, Presidenti Obama: Luftë deri në fund terrorizmit ndërkombëtar

Nga tragjedia e 11 shtatorit 2001, humbën jetën 2752 shtetas amerikan nga 70 vende të botës

Sot në ora 08:46 me orën lokale, aty ku me pare ngriheshin Kullat Binjake në New York, me një minutë heshtje, nis ceremonia e përkujtimit të viktimave të aktit terrorist të 11 shtatorit 2001, ku humbën jetën  2752 persona, me origjinë nga 70 vendeve të botës. Akti terrorist i 11 shtatorit të 11 viteve më parë, vepër e Al-Qaedas, shënoi dhe ndërmarrjen e sulmit frontal ndërkombëtar kundër terrorizmit, i cili tashmë drejtohet nga pasardhës të Bin Ladenit. Rituali do të vazhdoj me leximin e emrave të viktimave që janë përjetësuar në Memorial (mes tyre dhe tre shqiptarë) si dhe apelin e përsëritur nga Presidenti Barak Obama se, “nuk do të reshtim asnjë çast në luftën kundër terrorizmit, për liri, paqe e demokraci në botë”.

TRAGJEDIA E 11 SHTATORIT

Ishte ora 08:46 e 11 shtatorit të vitit 2001. Është momenti i sulmit të parë ne Kullat Binjake. Dy aeroplanë sulmuan dhe shkatërruan Qendrën Botërore të Tregtisë. Fillimisht ishin dy avionë qe u përplasën me kullat binjake të ‘World Trade Center’ në Nju Jork, një tjetër me Pentagonin në Uashington dhe i katërti u rrëzua në një fushë të Pensilvanisë, pranë Shanksvilleen. Pasojat, siç do të saktësoheshin më vonë, ishin të rënda… 2752 viktima, shtetas amerikanë me origjinë nga 70 vende të botës, e dëme të konsiderueshme ekonomike. Ngjarja terroriste shokoi botën. Drejtuesit e CIAS u vunë në alarm e operativitet, ndërsa Bresidenti Bush ndryshoi axhendën dhe rikthehet në krye të situatës në Shtëpinë e Bardhë. “Vrasësit kishin ardhur nga Europa, dhe ata ishin anëtarë të një grupi aleat të Al-Qaedas”- ishte konkluzioni i parë i drejtuesve të CIA-s. Pas daljes publike të Presidentit Bush, kreu i CIA-s, Xhorxh Tenet do të merrte ‘OK’ për një plan të hartuar më parë. “Ne, tashmë, kishim në sirtarët tona planin për të ndjekur si al-Kaedën dhe mbrojtësit e saj, talebanët, në Afganistan. Tani ne mund të fillonim ta zbatonim atë”- pohon Tenet në kujtimet e ti. Nisi lufta kundër terrorizmit, që ende vazhdon…

VIKTIMA DHE SHQIPTARË

Në tragjedinë e 11 shtatorit, gjetën vdekjen dhe tre shqiptarë që në momentet e shpërthimit të dy kullave binjake, gjendeshin në mjediset e tyre. Ata janë shënuar në memorialin kushtuar 2572 viktimave të sulmit terrorist të 11 shtatorit në Amerikë. Shqiptarët viktima të këtij atentati janë Mon Gjonbalaj, Simon Dedvukaj dhe Rrok Camaj. Një ndër viktimat e aktit terrorist të 11 shtatorit, është dhe Rrok Camaj. Ai punonte në katin e 110-të kullës ku ishte restoranti i famëshëm “Dritaret e Botës” (Windows of the World). Rroku lëvizte poshtë e lart prej katit të 110-të, deri në fund, në kabinën e tij i lidhur me rripa. Bënte ekzibicione thuajse se lunte rolin e “King Kong”-ut në ato kulla. Kishte më se 30 vjet që punonte këtu,e ishte I dashuruar me punën. Ditën e tragjedisë, e rrëfen për median një nga kushërinjtë e parë të tij… “E dëgjuam të gjithë, lajmin e shembjes së Kullës Veriore. Në atë moment më kaploi një dhimbje e madhe dhe të gjithë njerëzit aty më pyetën pse dukesh kaq i trishtuarë Ua shpjegova amerikanëve se në ato kulla punonte kushëriri im i parë Rrok Camaj. Nëna e tij Pashka dhe babai im Nika ishin motër e vëlla. Në telefon nuk mund të lidheshe… Pas një kohe shumë të shkurtër u njoftua edhe rënia e Kullës Jugore. Në atë çast lutesha që Rroku të mos ketë shkuar në punë atë ditë. Gruaja e tij Katerina, më tha se Rroku ndodhej atë ditë në punë. Ai ishte ndodhur në katin më të lartë të Kullës Jugore, e cila akoma nuk ishte shembur. Kishte biseduar me Katrinën në telefon dhe i kishte treguar për rënien e kullës së parë. I kishte treguar në telefon për tmerrin që po shikonte me sytë e tij. Bile fjalët e fundit të Rrok Camaj në atë bisedë tragjike ishin: ‘Nuk e di se çka po ndodh, por të lutem qetësoi fëmijët dhe mos u bëj panik’. Prej atij momenti e deri më sot, pas 9 vjetësh nuk është gjetur asnjë shenjë për Rrok Camaj”- pohon ai.

VLERËSIMI PËR VIKTIMAT

Për shkak të eksplozionit të fuqishëm, trupat e viktimave të kullave binjake, u copëtuan pothuaj plotësisht. Për disa nuk u gjetën as shenja të trupit apo eshtrat… Këtë fat tragjik patën dhe shqiptarët që ishin në këto objekte. Nga Moni e Simoni më vonë u gjetën disa copa eshtrash, por nga Rroku, nuk u gjet as shenja më e vogël. Për Rrokun u bë një meshë e veçantë dhe emri i tij është skalitur më memorialin e të vrarëve në këtë tragjedi. Ndërsa për dy viktimat e tjera, u bënë nderet dhe ceremonitë përkatëse të varrimit. Ceremonia e varrimit të Mon Gjonbalaj, u bë në Vuthaj, ndërsa ajo e Simonit Dedvukajt, në New York. Prindërit i ndërtuan Simonit varrin që është një monument i vërtetë shqiptaro-amerikan. Të gjithë ata që dhanë jetën me 11 shtator nderohen në mënyrë të veçantë nga populli dhe qeveria amerikane. Për çdo vit në ceremoninë, ashtu si dhe sot më 11 shtator 2012, lexohet emri i tyre dhe kjo ceremoni transmetohet drejt për së drejti nga të gjitha kanalet radio-televizive të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

BARAK OBAMA

Presidenti Barak Obama, në ceremonitë përkujtimore të kësaj tragjedie të rëndë, duke respektuar viktimat, ka pohuar vendosmërinë për luftën ndaj terrorizmit.  “Duhet të sigurohemi se nuk fillojmë t’i kundërvihemi njëri-tjetrit. Unë do të bëj gjithçka kam mundësi, për aq kohë sa jam president i Shteteve të Bashkuara, për t’i kujtuar amerikanët se ne jemi një popull. Mund ta quajmë Zotin me emra të ndryshëm, por mbetemi një komb… Kurrë nuk kemi qenë në luftë me Islamin por me terroristët e Al Kaedës, të cilët kanë bërë më shumë viktima mes myslimanëve… Eliminimi i Bin Ladenit është një arritje, por lufta kundër terrorizmit, në bashkëpunim me partnerët e vendet që aspirojnë për liri, do të vazhdoj deri në fitoren e plotë mbi ‘ta”- pohoi në ceremoninë e shkuar Presidenti Obama.

Jep një Përgjigje


Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cënojmë opinionet tuaja, lutemi që komentet të mos përmbajnë fyerje dhe ofendime personale dhe të kenë lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Moderatori

Advertisement