“Ne do të vendosim drejtësi sociale nëpërmjet tatimit progresiv”

Nga Jakup GJOCA - Hën Sht 17 2012, 3:19 pm

 INTERVISTA/ Dashamir Uruçi, sekretar  për ekonominë në AK: “Taksa e sheshtë simbolizon një ekonomi të sheshtë”

Fushata elektorale për zgjedhjet e 2013-s e ka nisur startin e saj me shpalosjen e programeve ekonomike. AK-ja, si një forcë e re politike, që për herë të parë do të marrë pjesë si subjekt politik, i ka vënë vetvetes qëllimin të fitojë shumicën qeverisëse, me një program ekonomik ambicioz. Sekretari për ekonominë në AK, Dashamir Uruçi, në intervistën për “Telegraf”, argumenton rrugëzgjidhjet ekonomike, që do të nxjerrin ekonominë tonë nga kriza e thellë ekonomike.

- AK-ja duke publikuar platformën ekonomike të politikës së saj, bën  fjalë për  një vizion të ri ekonomik. Mund të na  bëni një rezyme?

- Kjo platformë  ka shumë gjëra të ndryshme nga ato të zbatuara nga politikat në pushtet këto 20 vjet. Në themel kemi pasur dhe do vazhdojmë të kemi gjithnjë interesin kombëtar. Për ne, qëllimi kryesor është “Pasurimi e mirëqenia e Kombit” dhe këtu flasim për gjithë kombin brenda e jashtë Shqipërisë. Më themelore për rimëkëmbjen e ekonomisë kombëtare është sistemi ekonomik i ri që kemi programuar për ta zbatuar.

- Maxhoranca sot nuk pranon se ekonomia jonë ka krizë, ndërsa PS-ja, duke dhënë ngjyrat më të errëta ekonomike, njëkohësisht premton, që, sa të vijë në pushtet, do ta ndryshojë menjëherë gjendjen. Cilën nga këto alternativa na mbetet të besojmë?

- Pa asnjë mëdyshje, ekonomia jonë tashmë është në një krizë të thellë dhe treguesit janë të përgjithshëm e të gjithanshëm. Tregu i ndërtimeve ka rënë në mënyrë të dukshme, ndërsa remitancat që sjellin emigrantët janë në rënie të vazhdueshme, veçanërisht pas krizës ekonomike, që ka përfshirë shumë vende të Eurozonës. Pra, tek ne ka krizë, dhe e keqja qëndron tek mungesa e një vizioni të maxhorancës, për të dalë nga kjo gjendje, si dhe tek oponenca e dobët që opozita e sotme po i bën zhvillimeve aktuale në Shqipëri, në të gjitha fushat.

- Edi Rama duke hapur de fakto fushatën elektorale në Durrës, u premtoi bizneseve se do të ulë taksat. A mundet që ekonomia jonë të durojë një politikë të uljes së taksave?

-  Në rastin konkret, kemi të bëjmë, ashtu si e theksuat edhe ju, me fushatë politike elektorale. Ulja e taksave si dhe qëndrimi ndaj treguesve të tjerë të ekonomisë dhe financave janë të pranueshme dhe të zbatueshme vetëm kur mbështeten në një program ekonomik konkret, real e të mirëstudiuar, gjë që i mungon PS-së.

- Bëhet një luftë politike PD – PS duke ideologjizuar politikën e taksës së sheshtë dhe progresive. Sipas jush, cila rrugë do të ishte më e drejtë për kushtet e ekonomisë tonë?

- Sistemi tatimor është një nga simbolikat negative të drejtimit qeveritar këto 20 vjet, pasi ai që fiton më pak, taksohet më shumë. Qeveria, nëpërmjet sistemit tatimor bën arkëtime paraprake, të cilat nuk i rimburson, gjë që është një cenim i ligjshmërisë. Këto veprime tatimore mbushin arkën e shtetit në mënyrë abuzive, ne jemi për një ndryshim rrënjësor të tyre. Ne do të vendosim drejtësi sociale nëpërmjet tatimit progresiv, do zbatojmë politika  të  reja fiskale për sektorin bujqësor, që të ulim koston e prodhimit, do te sigurojmë  liri të garantuar për çdo sipërmarrje dhe suksesi të jetë i bazuar në konkurrencën e lirë e jo në borxhet. Politika jonë fiskale do të jetë në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit, duke u përpjekur të vendosim ekuilibra sociale.

- AK-ja  denoncon skemën e Bonove të Thesarit, si një skemë me rreziqe të mëdha për paratë e shqiptarëve. Ju ku i shikoni këto rreziqe të mëdha qe i  denonconi ?

- Bonot e Thesarit janë Letra me Vlerë që Qeveria i përdor për të mbuluar deficitet buxhetore. Pra, këto janë forma e veprime të pranueshme ligjërisht dhe praktikisht. Por, mënyra si organizohet tek ne, është në kundërshtim me bazën ligjore. Bonot e Thesarit janë të ardhura që Shteti i mbledh për të mbuluar  borxhin publik. Por tek  ne asnjëherë nuk është bërë publike sasia e borxhit, arsyet dhe rrugët e krijimit të tij . Bonot e Thesarit, që janë Letra me Vlerë, duhet të tregtohen në bursë, që tek ne ekziston ligjërisht që nga viti 1996, ndërsa që nga viti 2002, bursa është kthyer në një shoqëri aksionare ku 100% të aksioneve i zotëron shteti. Por ky aktivitet kryhet në Bankën e Shqipërisë, të cilës, me ligjin e saj, nuk i lejohet që të kryejë aktivitet tregtar. Gjithashtu, në lojën e Bonove të Thesarit marrin pjesë të gjitha bankat e nivelit të dytë. Por nga këto banka, një pjesë e tyre nuk janë të licencuara për këtë qëllim nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF). Pra, në këtë treg kryhet një informalitet i madh financiar. Gjithashtu,   tregtimi në Bankën e Shqipërisë  i Bonove të Thesarit është një nga shkaqet kryesor të rritjes në shifra të mëdha i përqindjes të interesit, që aplikohet për kredidhënie, i rënies së shumave të kredive që u jepen bizneseve apo konsumatorëve nga bankat e nivelit të dytë. Prandaj, ne nuk jemi për zhvillimin e këtij tregu në Bankën e Shqipërisë, por në bursën e Tiranës.

Bëni fjalë për luftën kundër monopoleve ekonomike. Si mund të konkretizohet liberalizimi i vërtetë i tregut shqiptar ?

- Kriza politike që ka ekzistuar tek ne këto 20 vjet ka pasur ndikim të vazhdueshëm në moszhvillimin real të ekonomisë. Programi ynë ekonomik i mbështetur në interesin kombëtar është drejtimi kryesor i rimëkëmbjes ekonomike. Ne, gjithashtu, do të propozojmë heqjen e të gjitha barrierave që ndajnë Shqipërinë me Kosovën, por do të kërkojmë edhe unifikimin e monedhave duke lehtësuar kështu qarkullimin e parasë e të investimeve. Siç e kemi thënë edhe më lart roli i shtetit duhet të jetë shumë aktiv. Shteti do të ndërhyjë në zhvillimin ekonomik të vendit me objektiva të qarta për të rritur gjithnjë e më shumë prodhimet për nevojat e vendit dhe për eksport. Një nga detyrat e rëndësishme që duhet të kryejë shteti shqiptar është kthimi i emigrantëve në atdhe si dhe integrimi i tyre në jetën e vendit. Rruga për realizimin e këtyre objektivave do të kalojë  nëpërmjet ndryshimit rrënjësor të strukturës ekonomike, të zhvillimit harmonik të sektorëve të ndryshëm të ekonomisë, të shndërrimit në një ekonomi të bazuar te puna dhe rritja e produktivitetit.

Ekonomia shqiptare sot

- Nga pikëpamja ekonomike sot Shqipëria është me një ekonomi në zhvillim kaotik dhe anarkik, është me një ekonomi konsumatore, me struktura parazite, primitive e krejtësisht të varur nga ato që quhen “Remitanca”.

Politika ekonomike qeverisëse 

…ka bërë që të ketë një polarizim ekstrem, i cili  ka shkaktuar një diferencë të madhe sociale. Kapitali është i përqendruar në shumë pak njerëz dhe ata të lidhur me politikanët qeverisës. Realisht ekonomia jonë është një ekonomi monopoliste.

 Korrupsioni ekonomik ka emër

Në Shqipëri pas çdo malli shumice, pas grurit, sheqerit, miellit, hekurit, karburanteve si dhe të tjera mallra të konsumit të lartë, fshihet një politikan, një ministër a një deputet.

Roli i shtetit në ekonomi

Shteti, si person juridik do të jetë pjesëmarrës aktiv në ekonomi. Ai në asnjë mënyrë nuk duhet të heqë dorë nga disa sektorë strategjikë të ekonomisë si energjia elektrike, nafta dhe pasuritë e tjera nëntokësore, arsimi, kultura, shëndetësia, infrastruktura rrugore etj..

Sistemi ekonomik i AK

- Në këtë sistem, shteti, duhet të lozë një rol aktiv në ndërmjetësimin midis shtresave të ndryshme të popullsisë, të inkurajojë arritjet e fitimeve private dhe të ofrojë shumë nxitje ndaj bizneseve, por edhe kërkon që aktiviteti ekonomik t’i shërbejë interesit kombëtar. Në programin tonë ekonomik shteti e sheh biznesin si një partner të dorës së parë, duke kërkuar në të njëjtën zbatimin rigoroz të shtetit. Aleanca Kuqezi do të punojë për një treg të përbashkët gjithshqiptar. Ajo do të punojë për rritjen, modernizimin, e fuqizimin e një sistemi energjetik Shqipëri-Kosovë, duke i dhënë prioritet burimeve termoenergjitike të Kosovës dhe burimeve hidrike të Shqipërisë. Ne mund të plotësojmë tërësisht nevojave tona për energji elektrike, duke i hapur rrugë eksporteve në këtë fushë.

 - Faleminderit!

Jep një Përgjigje


Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cënojmë opinionet tuaja, lutemi që komentet të mos përmbajnë fyerje dhe ofendime personale dhe të kenë lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Moderatori

Advertisement