“Këto reforma, nuk janë për statusin, por test elektoral”

Nga Jakup GJOCA - Enj Gus 30 2012, 6:22 pm

INTERVISTA/ Flet Kryetari i LZHK-së, Dashamir Shehi: “Reforma e kufizimit të imunitetit është një debat relativisht shterpë”

Kryetari i LZHK-së, zoti Dashamir Shehi, në intervistën për “Telegraf”, skanon aktualitetin politik, për më tepër, që këto ditë hapet edhe sezoni parlamentar, ku politika jonë është në provimin e vjeshtës, për marrjen  ose jo të statusit të kandidatit të Shqipërisë në BE.

- Zoti Shehi, reforma e kufizimit të imunitetit është kthyer në një lumë akuza-kundërakuza midis PD-PS. Fajësimi maniak i të tjerëve, a është alibi i fajit të vetvetes?

- Reforma e kufizimit të imunitetit është një debat relativisht shterpë, në kuptimin sesi është spostuar tematika. Dhe ideja që lufta kundër korrupsionit do të zgjidhet me përfundimin e kësaj reforme, është një kompliment i gabuar. Nuk është se imuniteti ka penguar hetimet e korrupsionit. Unë jam për heqjen e imunitetit, jo se do të zgjidhet problemi i korrupsionit, por për të hequr debatin shterpë. Po të duam realisht të luftojmë korrupsionin, të diskutojmë temat e tjera.

- Palët politike kundërshtojnë në boshllëk për të bërë propagandë. Mos vallë, e acarojnë këtë ngërç, ngaqë duan të fshehin qëllime të tjera?

- Kjo temë fryhet edhe përtej asaj që është normalja, për një fakt të thjeshtë. Po afrojnë zgjedhjet, dhe këto janë një test elektoral. Unë them që PD-ja nuk do të shkojë në referendum, pavarësisht nga presioni që u bën palëve të tjera. Këtë e bën për të dëftuar ” shikoni sa të angazhuar jemi ne, për imunitetin në sy të të huajve, por edhe të huajt nuk kanë dëshirë të shkojnë në referendum. Kjo temë fare mirë mund të zgjidhet në parlament. Mund të zgjidhet duke e bërë me votim, ose duke e ndarë nga çështjet e tjera që ngre PS-ja.

- PD-ja dhe PS-ja, këto ditë, ndryshuan qëndrimet politike që kishin pak kohë më parë për reformën e kufizimit të imunitetit. Mos vallë këto ndryshime, nuk janë thjesht luhatje, por përpjekje për të manipuluar opinionin?

- Tashmë kemi hyrë në skenarin elektoral. Edhe pasi të kalojë ky ligj për heqjen e imunitetit, shumë pjesë të shtetit do të jenë të korruptuara. Është një sistem i tërë që është kalbur. Çdo gjë që bëjnë të dy palët, PD dhe PS, e bëjnë për sytë e Brukselit, që t’u thonë, bëmë tentativa të mjaftueshme, ose sakrifica.

- Mendoni, që reformat e 12 prioriteteve, kështu siç i bëjmë, i bëjmë për vete, për të rritur cilësinë demokratike në Shqipëri, apo për t’u thënë ndërkombëtarëve, që zbatojmë ato që ju na urdhëroni?

- Reformat i bëjmë për të huajt. Ne u themi, që do bëjmë sikur do të bëjmë ato që ju na thoni, ju. Reformat duhet të bëhen për shqiptarët, për Shqipërinë, për këtë vend, që edhe po të mos jetë në Europë, duhet të jetë një vend i lirë, që mbështetet në ekonominë e tregut, me rregulla transparente, mbi moralin publik. Sepse mundet që Brukseli, për njëmijë arsye, të mos e japë statusin. Arsyet, që mund të jenë edhe të Brukselit, si dëshira për moszgjerim, kriza e eurozonës, që duan ta zvogëlojnë shpejtësinë integruese. Kjo nuk do të thotë, që ne nuk duhet të mendojmë për vete.

- Ndryshimin e politikës të Metës për reformën e kufizimit të imunitetit, duke u ndarë nga politika e Berishës dhe duke u qasur qëndrimit të Ramës, duhet ta deshifrojmë si mesazhe që përcillen në kuadrin e zgjedhjeve elektorale 2013, apo truk politik i Metës?

- Kjo është politika normale që ka bërë deri tani Meta. Sa afrojnë zgjedhjet, Metës i duhet një hapësirë partiake, të ketë mundësi që ta negociojë për veten. Lind një dyshim i përgjithshëm, tani Meta, do të shkojë me të djathtën, apo me të majtën? Unë e shoh me atë që do t’i afrojë më shumë pushtet.

- Raporti i partive të mëdha, në elektoratet e mëdha është i lëvizshëm. Kjo aksiomë politike ka vlerë te realiteti ynë politik dhe cilët faktorë ndikojnë?

-  E vërteta është se ky raport nuk është shumë i lëvizshëm, sepse, që nga ’92-i, përqindjet e PD-së dhe PS-së pak luhatje pësojnë. Do të isha shumë i kënaqshëm, po të ishte më i lëvizshëm, elektorati shqiptar. Të thonë: “Ne nuk na pëlqen kjo palë, ndaj do të shkojmë me palën tjetër. Ose do të shkojmë me një palë të tretë, ose me një palë të tretë”. Siç ndodhi me elektoratin grek, ku pati përmbushje të mëdha, siç ndodhi me liberalët në Angli. Prandaj, kjo shpjegon edhe ekstravagancën e re te politikanët tanë, sepse elektorati shqiptar nuk i ka dënuar ndonjëherë, ato që i kanë qeverisë keq.

-Përse ndodh kjo?

- Sepse te ne nuk ka elektorat. Një komb që ka elektorat, do të thotë që vete në zgjedhje që të zgjedhë. Ne nuk zgjedhim, por shkojmë të votojmë. E kjo vjen edhe për injorancë politike, ekonomike, kulturore. Sepse, të varfrit gjithnjë mendojnë me stomak, e jo me tru.

- Emërimet e Presidentit, të nënkryetarit të  KLD-së dhe kreut të  SHISH-it, ju si i vlerësoni?

- Është një emërim i marrë pa u zgjedhur Presidenti, flas për në KLD, pra nuk shikoj që ka sjellë ndonjë rast negativ, apo pozitiv. Për kreun e SHISH-it, unë gjykoj që ka një ngutje. Jo pse u largua ai, se u bënë 10 vjet që ishte aty, por unë, jo vetëm për këtë rast, gjithnjë gjykoj e do të vazhdoj të gjykoj që në postet e larta shtetërore nuk mund të emërohen persona që kanë jetuar gjatë jashtë.  Nuk është drejtë, nuk është e ndershme, nuk është e ligjshme, nuk është e moralshme. Dhe është e rrezikshme. Për shtetin shqiptar, njerëzit që kanë punuar 10, 12 vjet jashtë, që kanë këputur lidhjet me Shqipërinë, që kanë nxjerrë pasaporta të huaja, s’ka si i shërben shtetit tonë.

- Jeni optimist për ecurinë e zhvillimit të procesit integrues?

- Jo, nuk ka sesi të jem. Sepse ka filluar me këmbën ters. Fillojmë me një ligj, që diskretiton 100 % demokracinë, ligji elektoral.

- Meqë fushata elektorale, de fakto, ka filluar, ju  me kë krah politik jeni më afër?

- Edhe SHBA-të bëjnë gjashtë muaj fushatë, Shqipëria bën një vit e gjysmë. Pardje mbaruam zgjedhjet administrative. Ne katër vjet kemi fushatë zgjedhjesh. Unë nuk bëj pjesë këtu. Unë them, që shqiptarëve u duhet një muaj fushatë. Që të mos shpenzohen edhe paratë e shtetit. Të mos ketë nevojë edhe për këto lukse e shpenzime që dëgjojmë. Këto shpenzime janë fyerje për nivelin e ulët të jetesës që kemi. Ne i qëndrojmë qendrës së djathtë.

- Faleminderit!

Jep një Përgjigje


Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cënojmë opinionet tuaja, lutemi që komentet të mos përmbajnë fyerje dhe ofendime personale dhe të kenë lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Moderatori

Advertisement