Gjergj Pekmezi, ndër intelektualët më të kulturuar të kohës

Nga Gazeta Telegraf - Mar Sht 11 2012, 4:54 pm

Një figurë e ndritur kombëtare, emrin e të cilit e mban Katedara e Albanologjisë së Universitetit të Vjenës

Në historinë e përndritur të kulturës pogradecare me shtresëzim të gjerë në gjerdanin kombëtar, doktor Pekmezi, figurë zulmëmadhe e kohës kur jetoi dhe punoi, zë vend qendror tejet të nderuar. Gjergj Pekmezi, ishte filozof dhe filolog shqiptar. Lindur në Tushemisht të Pogradecit, më 23 prill 1872 dhe vdiq në Vjenë, më 24 shkurt 1938. Studimet e para i kreu në Ohër e Manastir, kurse studimet e universitare i bëri në Beograd e në Vjenë, ku u diplomua më 1898 për filozofi dhe filologji. Më 1903 u emërua Shef i Katedrës së Gjuhës shqipe në Universitetin Oriental të Vjenës. Pas një viti themeloi Shoqërinë Kulturore Patriotike “DIJA”. Më 1908 boton veprën monumentale “Gramatika e Gjuhës Shqipe”, duke u bërë kështu gramatikanin e parë shqiptar. Pas kësaj në bashkëpunim me gjuhëtare gjermanë, boton: “Bibliografia e Gjuhës Shqipe”, “Udhëzuesi i Gjuhës Shqipe “, “Libër Mësimi e Ushtrimesh në Gjuhën Shqipe”, “Gjuha Shqip dhe Dialektet”. Do të dërgohet nga Akademia e Shkencave austro-hungareze në Shqipëri për qëllime studime ku do të hartojë monografinë në dorëshkrim “Tiparet dalluese thelbësore të dialekteve kryesore të shqipes, të toskërishtes dhe gegërishtes”, një ndër studimet e para të dialektologjisë shqiptare dhe me vlera për këtë disiplinë. Do të pasohet me një punim tjetër “Raport provizor për studimin e së folmes së Elbasanit”(1901). Më 1908 do të botojë në Vjenë “Gramatikë e gjuhës shqipe”(gjermanisht), një ndër veprat më të mira të autorit dhe të gjuhësisë shqiptare për atë kohë. Këtu, ne mësojmë edhe disa mendime të autorit për gjuhën letrare, të cilat do t’i përsërisë edhe një vit më vonë në revistën “Diturija” të Mit’hat Frashërit që dilte në Selanik. Ndërsa më 1909 do të jetë bashkautor në botimin “Bibliografia shqiptare”, duke hyrë kështu në historinë e bibliografisë sonë. Më 1916 është Kryetar i “Komisisë Letrare të Shkodrës”, ku me Luigj Gurakuqin, Gjergj Fishtën, Ndre Mjedën e patriotë të tjerë bënë punë të mëdha për shkollat, gjuhën tonë dhe librat shqip. Më 1908 zbulon memorandumin e famshëm të 1878-ës që Vaso Pasha e Sami Frashëri i dërguan Kongresit të Berlinit. Në këto vite transkripton librin: “Bleta Shqiptare” të Thimi Mitkos. Po kaq i madh është kontributi i tij si patriot dhe diplomat i Shqipërisë. Është i famshëm qëndrimi i tij në 1913, pranë Komisionit Ndërkombëtar të kufijve, ku me mençuri vërtetoi shqiptarësinë e trevave të jugut, kundër synimeve greke. Në vitet 1920-24 emërohet Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë pranë Republikës së Austrisë. Riemërohet në këtë detyrë më 1926-28, vit në të cilën emërohet profesor në Universitetin e Vjenës, Katedra e Gjuhës Shqipe. Këtë detyrë e kreu deri më 24 shkurt 1938, kur papritur vdiq. Përveç veprave të lartpërmendura, ai ka mbledhur e dorëzuar 8177 faqe të daktilografuara me materiale e relacione të konsujve Austro-Hungarezë të Shkodrës, Prizrenit, Janinës, Stambollit, nxjerrë nga arkivi i Ministrisë të jashtme të Austro-Hungarisë. Sot katedra e albanologjisë ne Universitetin e Vjenës mban emrin “Prof. Dr. Gjerg Pekmezi”.

Puna për gjuhën shqipe, xhevahirin harruar

Përkushtimi i tij në shërbim të çështjes shqiptare është i shumanshëm. Ishte dijetari ynë zbuluesi dhe botuesi i memorandumit  të famshëm të 20 qershorit 1878 që Vaso Pasha dhe Sami Frashëri i dërguan Kongresit të Berlinit, kundër keqdashjes së njohur shpërbërëse të fqinjëve lakmitarë. Në vitin 1904 themeloi në Austri Shoqërinë Kulturore ” Dija “. Më tej, 1920 – 1924 dhe 1926 – 1928, konsull nderi i Shqipërisë në Vjenë. Nëpër arkivat e Vjenës mblodhi 8177 faqe të shtypura, në të cilat zbulohen polemikat e fuqive të mëdha të Evropës në dëm apo në të mirë të çështjes kombëtare në harkun kohor 1871 – 1894. Gjergji do të krijonte shtratin gjermano – austriak për të tjerë dijetarë pogradecarë e më gjerë që ndoqën rrugën e tij në vitet e mëpastajme. Përkthyes i Komisionit ndërkombëtar për caktimin e kufijve të Shqipërisë më 1913. Më 1908, pas një pune stërmadhe botoi në gjermanisht, studimin shkencor ” Gramatika e gjuhës shqipe ” e para vepër gjuhësore e shqipes mbi të cilën u përqendruan dhe morën ngasje gjuhëtarët e mëvonshëm. Bashkautor, po më shumë se kaq, nxori në dritë punimin ” Bibliografia shqipe “, i pari në këtë lloj dhe më 1913 botoi ” Libër mësimi e leximi i shqipes ” shoqëruar nga një fjalor shqip – gjermanisht me 3000 fjalë. Në vitin 1916 u caktua kryetar i “Komësisë letrare shqipe ” i ngritur për të çuar më përpara gjuhën letrare që zuri fill në Kongresin e Manastirit. Së bashku me albanologun Nahti Gali dhe Ndre Mjedën studioi të folmen e Elbasanit  që kulmoi me shkrimin “Përkujtime mbi çështjen e një gjuhe të përbashkët shqipe “. Botimet e Pekmezit u bënë të gjitha në gjuhën gjermane jo pse atë e njihte në mënyrë të përkryer, porse kërkonte t’i drejtohej një publiku të gjerë, të kulturuar për të kuptuar në tërë gjerësinë xhevahirin e harruar e të pluhurosur të shqipes, ndër më të vjetrat gjuhë të Evropës.

Pekmezi, autori i historisë së monedhave

Mbetet unikal akti i tij i hedhjes së monedhave një turme fëmijësh në Korçë, të udhëzuar e paguar të flisnin greqisht për t’u treguar të huajve se ato troje nuk ishin shqiptare. Kur zunë të mbledhin monedhat e Gjergjit fëmijët  harruan porosinë e të huajve dhe po shaheshin shqip me njëri – tjetrin. Anëtarët e Komisionit buzëqeshën plot kuptim, ndërsa gënjeshtarët heshtën të turpëruar. Këto e shumë të tjera, që po t’i përmendim kapërcejnë caqet e shkrimit tonë, formësojnë pa asnjë mëdyshje përmasën atdhetare të tij.

Istref  HAXHILLARI

_______________________________________________________________________________

MËSUESI I LLËNGËS NË MOKËR TË POGRADECIT

Në rininë e tij, në vitin 1887 Gjergj Pekmezi ka qenë mësues i të parës shkollë shqipe të Llëngës në Mokër të Pogradecit.  Ardhja e Gjergjit në Llengë i përngjiste shiut në thatësirë të zgjatur.  Nxënësit ishin gjithfarësh, nga mosha e njomë tek burrat e pjekur dhe gratë duar lyer nga brumi i bukës, ardhur me nxitim të dëgjonin magjinë e gjuhës shqipe shpalosur nga ky çunak që s’ta mbushte syrin. Zbriste në Pogradec rrallë, të çmallej me njerëzit e tij, po sidomos të mblidhte libra e fletore për nxënësit. Mokra u bë edhe shkolla e parë ku zë fill gjuhëtari, historiani, atdhetari dhe mendimtari i ardhshëm.  Si një makinë e kurdisur për punë natë e ditë, regjistroi gjithçka me etje dhe shpirt të qëruar si cipë qepe. Kështu Mokra dhe Gjergji i ri, në mënyrë të ndërsjellë për dy vite rresht i dhanë njëri – tjetrit gjithë ç’mundën e ç’dinin. Më tej, mësuesi u largua, ngjiti me shpejtësi shkallët e dijes dhe u bë burri që i shërbeu si rrallë tjetër vendit të tij.

_______________________________________________________________________________

PROFESOR I PROFESORËVE NË VJENË

Nuk është e rastit që albanologët më të shquar nëpër kohët e mëvonshme ishin gjermanishtfolësit e mirënjohur prej të gjithëve, nxitur nga punimet e Pekmezit, të cilët i përqasi tek ne gjuhëtari tjetër me përmasa të mëdha, Eqerem Çabej. Ç’mund të bënte më shumë një personalitet i mësuar e i ditur në atë kohë? Përmasa kulturore është vlera më mahnitëse në gjerdanin e artë të pishtarit ndriçues të gjuhës amtare. Por, si një çudi e pa kuptuar, vepra e tij madhore lëkundet mes njohjes dhe mosnjohjes, vlerësimit të plotë dhe mos vlerësimit. Ende mungon një përmbledhje e plotë e shkrimësisë së tij ku ai shpaloset gjuhëtar, mësues, studiues, atdhetar, diplomat, ndër shqiptarët më të kulturuar të kohës. Cilido që ndërmerr këtë nismë, do të nderojë brezin e sotëm përmes një botimi me vlerë të vërtetë në lumin pa cak të librave që mbushin sot letrat shqipe. Autori i këtij shkrimi të thjeshtë nuk e ka mundësinë t’i përkushtohet një ndërmarrje të tillë që do ta dëshironte së tepërmi, po përmes tij synon të nxitë sado pak dijetarët, që nuk mungojnë, të merren seriozisht me këtë vepër ndriçuese që do të nderojë edhe më të mirin studiues të kohës së sotme.

Jep një Përgjigje


Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cënojmë opinionet tuaja, lutemi që komentet të mos përmbajnë fyerje dhe ofendime personale dhe të kenë lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Moderatori

Advertisement